Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar retorikën e kryeministrit Albin Kurti kundër mediave dhe gazetarëve, duke e cilësuar si nxitëse dhe akuzuese.
Sipas AGK-së, Kurti ka përdorur foltoren e Kuvendit të Kosovës për të kritikuar mediat, duke përmendur, mes të tjerash, “hyrjen e parave në mënyrë të padukshme” dhe duke deklaruar se qytetarët e dezinformuar janë të manipuluar dhe se ky manipulim vjen nga armiqtë e jashtëm dhe “argatët” brenda vendit.
“AGK-ja e dënon fuqishëm këtë retorikë, e cila minon raportimin e pavarur dhe të lirë,” thuhet në reagim.
Organizata thekson se kjo retorikë është pjesë e fushatave të vazhdueshme kundër mediave dhe gazetarëve nga Kurti dhe Qeveria e tij.
AGK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të garantojë një proces transparent për ligjin e ri të KPM-së, të ndalojë presionin politik ndaj RTK-së dhe të ndalojë fushatat e denigrimit të mediave dhe gazetarëve.




