Policia e Kosovës ka arrestuar në Prizren një person të dyshuar për disa vepra penale të vjedhjes.
Pas hetimeve në terren, i dyshuari me inicialet M.G. është identifikuar si i përfshirë në raste të “Vjedhjes” dhe “Vjedhjes së rëndë”. Gjatë ndalimit, tek ai është gjetur edhe një substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Në koordinim me prokurorin, është kryer bastisje në banesën e tij, ku janë sekuestruar dëshmi materiale që lidhen me rastet. I dyshuari, gjatë intervistimit në prani të avokatit, ka pranuar se ka kryer së paku pesë vjedhje në markete dhe vetura.
Me vendim të prokurorit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndërkohë, policia njofton se në një rast tjetër po në Prizren, tre persona janë arrestuar në flagrancë për vjedhje të rëndë, ku janë sekuestruar bizhuteri ari dhe një automjet i përdorur në kryerjen e veprës. Pas procedurave, stolitë i janë kthyer pronarit, ndërsa të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.




