Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë homazheve pranë Monumentit të Personave të Zhdukur gjatë luftës, ka kërkuar angazhim më të madh të faktorit ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të tyre.
Ai tha se edhe pas më shumë se dy dekadash, 1,565 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur, ndërsa institucionet vendore po punojnë për identifikimin dhe zbardhjen e rasteve.
Kurti theksoi se Serbia mban përgjegjësinë për zbardhjen e së vërtetës dhe kërkoi presion më të madh ndërkombëtar ndaj Beogradit. Sipas tij, ekzistojnë ende varreza masive të pazbuluara dhe nevojitet bashkëpunim ndërkombëtar për hetimin e tyre.
Ai shtoi se në Kosovë po vazhdojnë përpjekjet për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe se institucionet janë të angazhuara për të përshpejtuar proceset e drejtësisë.




