Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se procesi për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës është shoqëruar me shkelje serioze kushtetuese dhe procedurale.
Sipas IKD-së, mungesa e kuorumit prej 80 deputetësh në seancën e jashtëzakonshme e bën të pavlefshëm zhvillimin e procedurës, ndërsa praktika të tilla krijojnë precedent të rrezikshëm për anashkalimin e Kushtetutës.
IKD ka kritikuar gjithashtu mënyrën e thirrjes së mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, duke theksuar se njoftimi i vonshëm cenon transparencën dhe pjesëmarrjen e deputetëve. Po ashtu, sipas këtij institucioni, trajtimi i nënshkrimeve të deputetëve për kandidatët për President është bërë në kundërshtim me rregullat kushtetuese dhe praktikën e Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim, IKD vlerëson se këto shkelje e bëjnë procesin juridikisht të pavlefshëm dhe potencialisht të dëmshëm për stabilitetin institucional, duke i bërë thirrje Kuvendit që të respektojë Kushtetutën dhe procedurat ligjore.




