Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me 15 vjet burgim Sead Halilajn për veprën penale “vrasje e rëndë”, të kryer në mënyrë mizore në vitin 2013.
Sipas aktgjykimit të marrë më 24 shkurt 2026, ai ka marrë pjesë në vrasjen e viktimës I.K. në Prizren, së bashku me një person tjetër. Gjykata ka konstatuar se viktima është sulmuar me mjete të mprehta dhe ka ndërruar jetë nga plagët e rënda në qafë dhe trup.
Pas ngjarjes, të dy të dyshuarit janë larguar nga Kosova dhe kanë qëndruar për vite në arrati, derisa janë arrestuar me bashkëpunim ndërkombëtar.
Dënimi është shqiptuar në bazë të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2013, i cili për këtë vepër parasheh dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.




