Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit kundër ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj dhe Sami Lushtaku, duke i cilësuar ato si “sulme të ndyra” ndaj figurave të luftës çlirimtare.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK thekson se sulmet po përforcohen nga qarqe që, sipas tyre, kanë qenë të lidhura me ish-regjimin jugosllav dhe propagandën serbe.
“Gjeneralët dhe luftëtarët e UÇK-së janë themeli mbi të cilin është ndërtuar Kosova. Asnjë shpifje nuk mund ta njollosë luftën çlirimtare dhe sakrificën e tyre”, thuhet në reagim.
Veteranët vlerësojnë se gjuha kundër UÇK-së nuk është e rastësishme, por pjesë e një përpjekjeje për të përçarë shoqërinë dhe për të dëmtuar unitetin kombëtar.
Sipas OVL-UÇK-së, sulmet e fundit i shërbejnë narrativës së Serbisë për kriminalizimin e luftës çlirimtare të Kosovës.
Në reagim i është bërë thirrje edhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalin, siç thuhet, “nxitjen e sulmeve ndaj UÇK-së, veteranëve dhe komandantëve të saj”.
Reagimi i OVL-UÇK-së erdhi pas deklaratave të mërgimtarit Naser Xhylani ndaj Daut Haradinajt, të cilin ai e kishte quajtur me një nofkë fyese.




