Zyrtarët policorë nga Njësia për Dronë dhe Antidronë kanë përfunduar me sukses trajnimin për trajnerë dhe përdorimin e dronëve, në kuadër të mbështetjes nga Projekti HAPE.
Trajnimi është zhvilluar gjatë muajve mars dhe prill në dy faza, duke përfshirë përgatitje teorike dhe praktike për instruktorët dhe kandidatët e rinj. Në total janë certifikuar 12 pjesëmarrës, prej tyre gjashtë si trajnerë dhe gjashtë në trajnim bazik për përdorimin e dronëve.
Aktiviteti u mbajt në Kampin e Njësive Speciale “Vrella” dhe synon forcimin e kapaciteteve profesionale në Policinë e Kosovës dhe Doganat e Kosovës. Organizatorët shprehën mirënjohje për mbështetjen ndërkombëtare dhe kontributin e instruktorëve gjatë realizimit të trajnimit.




