Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar në mbledhjen e sotme adresat e kutive postare për votimin me postë nga diaspora, proces i cili do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor.
Anëtari i KQZ-së dhe kryesuesi i Këshillit për Operacione Zgjedhore, Alban Krasniqi, bëri të ditur se adresat e kutive postare janë pothuajse të njëjta me ato të zgjedhjeve të kaluara, me përjashtim të dy ndryshimeve.
Sipas KQZ-së, kutitë postare do të jenë funksionale në 22 shtete, përfshirë: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
Po ashtu, do të funksionojë edhe kutia postare e përhershme e KQZ-së në Kosovë.
Në të njëjtën mbledhje është miratuar edhe Plani operacional i sigurisë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si dhe dizajni dhe përmbajtja e fletëvotimit dhe broshurës zgjedhore./EO/




